POETËT  E BOTËS NDEROJNË NAIM FRASHËRIN

Prej 16-19 tetor 2014 u zhvillua Edicioni i XVIII i Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”. Për tri ditë me rradhë Tetova ishte nikoqire e aktiviteteve të ndryshme e te shumta poetike, artistike dhe kulturore. U mbajtën lexime letrare, u promovuan libra poetik u hap një ekspozitë me fotografi dhe u bënë vizita të ndryshme në monumentet kulturore, historike dhe fetare. Në këtë edicion morrën pjesë poetë nga vende të ndryshme të botës, si:  Sebastiano GRASSO (Itali), Bohdan ZADURA (Poloni), Braha ROSENFELD (Izrael), Vicktoria SLAVUSKI (Argjentinë), Dinos KOUBATIS (Greqi), Germain DROOGNEBROODT (Belgjikë) Giuseppe NAPOLITANO (Itali), Joslin Love KEARSE (SHBA), Galina GANEVA (Bullgari), Kadir AYDEMIR (Turqi), Laura GARAVIGLIA (Itali), Maryam Ala AMJADI (Iran), Visar ZHITI (Shqipëri), Nicolaj STOCHHOLM (Danimarke), Bjorg BORGRIMSDOTIR, Levant KARATAS (Turqi), Bisera Suljic – BOSKALIO (Bosna dhe Hercegovina), Mujë Buçpapaj (Shqipëri), Robert SIMONISHEK (Slloveni) Ndue UKAJ (Kosovë), Trajce KACAROV dhe Slavica Dabevska KIROVSKA (Maqedoni), Ilire ZAJMI (Kosovë) dhe Entela SAFETI (Shqipëri) dhe Burhanedin XHEMAILI dhe Bujar PLLOSHTANI (Maqedoni).

Hapja ceremonisë festive të Edicionit të XVIII të Festivalit

Hapja ceremonisë festive të Edicionit të XVIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” u bë me anë të ndezjes së fishekzjarreve, para Qendrës së Kulturës “Naim Frashëri”, në Tetovë. Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, laureati italian Sebastiano Grasso, kryetari i Jurisë Visar Zhiti, kryetarja e Komunës së Tetovës, Teuta Arifi, sekretari shtetëror i Minsitrisë së Kulturës, Behixhudin Shehapi, si dhe delegacioni i Komunitetit Bektashian, vendosën buqete lulesh para shtatores së poetit tonë kombëtar “Naim Frashëri”, i cili ndodhet në qendër të Tetovës.

Hapja ceremonisë festive të Edicionit të XVIII të Festivalit-2

Më pas në foajenë e Qendrës së Kulturës u hap ekspozita e fotografive të Asan Krasniqit me pamje nga periudha e krizës dhe luftës së Kosovës.

Edicionin e XVIII të Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit” e hapi drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, i cili, theksoi se, ‘Në çdo hapje Festivali kemi nënvizuar dhe afirmuar rolin dhe rëndësinë që ka poezia, arti dhe kultura në njohjen, afirmimin dhe në ngritjen e modeleve të bashkëpunimit në mes komunitetit krijues në rradhë të parë, dhe pastaj atij me publikun. Mirëpo, bartës të kësaj performance shumëdimensionale dhe komplekse janë njerëzitbartës të këtyre nismave të bukura. Ata, me shpirtin e artistit, me ndjeshmërinë e tyre marrin atë gërshetim realiteti dhe secili në mënyrë e tij matematikore e ndan.  E ndan me lexuesin dhe me shëndetin e tij. Kur menaxhimi nuk është baraspeshues ndodh lëndimi dhe doza e lartë e gëzimit…. Që të dyja, jo fort të shëndetshme për krijuesin. Bëhen pjesë e fatit dhe nuk njohin moshë… Për pasoj, ata iki nga zona krijuese në ate të pavdeksisë… I tillë është edhe fati i Naim Frashërit… Iku herët… Si mund të spjegohet në rastin e njerëzve që morën për mbiemër “Ditët e Naimit”, si poetët e Drejtorisë së Festivalit, Murtezan Arifi dhe Ferit Ramadani. Ata, u “lodhën nga monotonia e përfytyrimit dhe nuk shpërthyen në shumllojshmëri”(W. Stevens), as ndoqën motivin mistik të M. Bermond që te vazhdonin të shkruanin poezinë për të gjetur Perendinë. Ata kur këtë se prekën me poezi, u ngjitën vet atje fizikisht. Ne sot, lutemi për ta … Tani që kemi një sfidë të re, ku një Anëtare tjetër e Bordit, poetja Silke Liria Blumbach është në një betejë të këtillë në një spital të Berlinit, ne lutemi me zë edhe në emrin tuaj. Ajo, si një fituese e çmimit “Qiriu i Naimit”, si pjesë e Drejtorisë, me shprehjen e përkryer poetike afirmoi elementin iracional në poezi, kontribuoi dhe afirmoi Festivalin, Tetovën, shqiptarët… Dejtoria, duke vleresuar tekstin poetik dhe veprën e shuamanshme të saj, si dhe duke dashur te bëhet pjesë e energjisë dhe motivimit për të vazhduar betejën e imponuar Silkja jonë, kemi ngritur një çmim letrar me emrin e saj “Silke – Liria”, si dhe ia ka ndarë titullin më të lartë, Anëtare Nderi e Festivalit. Zoti qoftë me te!”, tha në fund drejtori Shaip Emërllahu.

Shaip Emërllahu

Këtij edicioni, me një fjalë përshëndetëse, iu drejtua të pranishmëve edhe kryetarja e Komunës së Tetovës, zonj. Teuta Arrifi, e cila nënvizoi mbështjen që komuna u jep kulturës dhe artit dhe vet Festivalit Ndërkombëtar të Poezisë “Ditët e Naimit”.

Teuta Arrifi

Në orën e madhe letrare ‘Globi poetik’, poetët lexuan poezitë e tyre, ndërkaq drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu ia dorëzoi çmimin e madh ‘Naim Frashëri’ që jepet për vlera të larta artistike, si dhe ia ndau titullin Anëtar Nderi të Festivalit, laureatit nga Italia, Sebastiano Grasso. Me këtët rast, laureati Grasso, falenderoi organizatorët dhe Jurinë për dhënien e këtij çmimi të lartë të Festivalit.

çmimi I madh Naim Frashëri

Të kujtojme se, titullin Anëtarë Nderi të Festivalit, deri tani, e kanë marrë shkrimtarët dhe intelektualët e njohur, si Ismail Kadare (Shqipëri), Desmond Egan (Irlandë), Thomas Tidholm (Suedi), Manlio Argueta (Salvador), Abdellatif Laabi (Marok), Peter Poulsen (Danimarkë), Lionel Ray,  (Francë), Eva Lipska (Poloni), Craig Czury (SHBA), Tua Forsstrom (Finlandë), Athanase Vantchev de Thracy (Francë) etj .

Në ditën e dytë të Programit, në amfiteatrin e USHT-së, u përurua laureati Sebastiano Grasso. Në fjalën përshëndetëse, rektori prof. dr. Vullnet Ahmeti, tha se ,,Ky manifestim, që këtë vit e shënon edicionin e  tetëmbëdhjetë me radhë dhe që prezantohet para publikut me emra të njohur poetësh nga të gjitha meridianët e botës, është shndërruar në ngjarjen më të madhe kulturore për qytetin tonë dhe më gjerë. Duke u nisur nga këto vlera universale artistike, që “Ditët e Naimit” po përcjellin për gati dy dekada, ne si institucion kemi hapur dyert e auditorëve për të pritur  krijuesit e fjalës artistike, për të pritur poetët  pjesëmarrës në këtë festival poezie. Nëse njerëzimi sot jeton në një botë të trazuar, ku pasiguria dhe ndarjet mes popujve thellohen gjithandej, konfliktet e ndryshme për arsye politike apo ekonomike rriten çdo ditë e më shumë, është pikërisht arti ai që ngadhënjen mbi gjithë këtë rrëmujë dhe katandisje”, tha Rektori i USHT-së, Prof. dr.Vullnet Ameti. Ai, me këtë rast, Drejtorisë së Festivalit ,,DITËT E NAIMIT” i  shprehi falënderime për dëshirën e tyre që një aktivitet të këtillë ta shtrijnë edhe në ambientet e Universitetin Shtetëror të Tetovës. Besoj që kjo traditë e bashkëpunimit të vazhdojë edhe në të ardhmen”.

Laureati Sebastiano Grasso e falënderoi Rektorin e USHT-së për mikpritjen e ngrohtë që u bëri poetëve. “Më pëlqen të ndodhem këtu sepse ju sot më keni bërë një nder të madh me njohjen akademike dhe këtë e dijmë shumë mirë se studimet për një autor fillojnë nga universiteti, sepse një autor që nuk ka një studim të mirëfilltë shumë shpejt venitet, zhduket”, tha Poeti Sebastiano Grasso.

çmimi I madh Naim Frashëri-2

Motivimin e Jurisë e lexoi kryetari i saj, Visar Zhiti (anëtarët e Jurisë së Festivalit janë studjuesit e letërsisë Ndue Ukaj dhe Xhelal Zejneli).

Në mbyllje të këtij përurimi, rektori i USHT-së, Vullnet Ameti, pasi i kishte rezervuar në zyrën e tij një pritje të ngrohtë laureatit, Sebastiano Grassos ia ndau edhe pllaketën me logon e Universitetit. Kurse, Drejtori i Festivalit, Shaip Emërllahu, rektorit të USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ametit i ndau Mirënjohjen për kontributine tij në kulturë dhe në arsim, si dhe për bashkëpunimin e shkëlqyer në mes dy institucioneve përkatëse.

çmimi I madh Naim Frashëri-3

Sipas programit, poetët më pas shkuan në Teqen Arabati Baba, ku u pritën nga kryegjyshi Baba Edmond Brahimaj dhe në një nga ambientet e saj mbajtën orën letrare “Poetë dhe vargje”.

Në ditën e tretë u përuruan librat e Edicionit botues të Festivalit: “Librin e Laureatëve” I Athanase Vantchev de Thracy, “Prapa hënës” të laureatit Peter Poulsen, si dhe librat e Sebastiano Grassos “Ti, në grackë nën qepalala” dhe “Pëshpëritje e hënës  ” Giuseppe Napolitanos.

çmimi I madh Naim Frashëri-4

Festivali u mbyll me orën e madhe letrare ‘Meridiane poetike’, e cila u mbajt në Qendrën e Kulturës, ku poetët lexuan poezitë e tyre dhe u ndanë edhe çmimet e tjera letrare të Festivalit;  Çmimi për karierë letrare ‘Ditët e Naimit’ iu nda poetit Bohdan Zadura nga Polonia, çmimi për vlera të veçanta poetike ‘Menada’ iu dha poetit me origjinë arvanitase Dinos Kubatis, çmimin letrar për ciklin më të mirë poetik ‘Oaeneumi’ e mori poeti shqiptar, Mujë Buçpapaj, çmimi letrar  ‘Qiriu i Naimit’ iu dha poetit nga Belgjika, Germain Droognebroodt. Në këtë edicion, Drejtoria, poeten Silke Liria Blumbach e shpalli Anëtar Nderi dhe që nga ky edicion ndau çmimin letrar për shprehjen poetike me emrin e poetes “Silke/Liria”. Fitues i këtij çmimi ishte poetja amerikane “Joslin Love Kearse”.

çmimi I madh Naim Frashëri-5

Drejtoria e Festivalit edhe në këtë edicion botoi antologjinë e poezive të poetëve pjesëmarrës ‘Fytyrë sirene’, të përgatitur nga Shaip Emërllahu.

Festivalin e udhëhoqi moderatorja Verjana Abazaj. Poezitë në gjuhën shqipe i lexoi aktori Arsim Kaleci, kurse me kitarë i shoqëroi profesor Jeton Pustina. Skenën e ideoi piktori Savash Veliu.

Festivali u mbështet nga Ministria e Kulturës e Maqedonisë dhe Komuna e Tetovës. Sponzorë të këtij edicioni ishin “Hit Oil”, “Albas”, “Allprint”, “Arbi”, “Nuance” dhe “Kurtishi, “New Design” dhe “Screenmedia”.

A. Arsllani