Viti 2002

Doli nga shtypi libri “Fshehtësia e lirisë”  

Ashtu siç ishte paralajmëruar, në kuadër të Edicionit të Gjashtë të Manifestimit Letrar Ndërkombëtar Ditët e Naimit, që u mbajt në Tetovë prej 17 – 21 tetor, doli edhe libri me titull “Fshehtësia e lirisë”, libër ky me poezitë e autorëve pjesëmarrës. Përmbledhjes në fjalë i prin parathënia që mban titullin “Poezia – një mundësi e komunikimit ndërkulturor”, të shkruar nga Ahmet Selmani, i cili njëherësh është edhe përpilues i librit.
Në të janë përfshirë gjithsej 62 autorë, me nga tri poezi, si dhe me nga një jetëshkrim të shkurtër. Pra, aty renditen poetë shqiptarë dhe të huaj, por edhe poetë nga nacionalitetet e tjera që jetojnë në Maqedoni.

Në këtë mënyrë brenda librit “Fheshtësia e lirisë” i gjejmë poetët siç janë: Flutura Açka (Shqipëri), Abd El-Karim Al-Khalqi (Tunis), Fatos Arapi (Shqipëri), Teuta Arifi (Maqedoni), Mario Belici (Itali), Silke Blumbach (Gjermani), Eqrem Basha (Maqedoni), Flora Brovina (Kosovë), Sali Bashota (Kosovë), Ibrahim Berisha (Kosovë), Sigrun Casper (Gjermani), Basri Çapriqi (Mali i Zi), Latif Demir (Maqedoni), Alberto Estima de Oliveira (Portugali), Skiro di Maxho (Itali), Shaip Emërllahu (Maqedoni), Ioan Flora (Rumani), Nikolë Kazhë Florentini (Martinik – Ishujt e Karaibeve), Adem Gashi (Kosovë), Ivan Golubnici (Federata Ruse), Myftar Gjana (Shqipëri), Demir Gjergji (Shqipëri), Lulëzim Haziri (Maqedoni), Klodinë Helf (Francë), Mun Çung Hi (Koreja e Jugut), Biba Ismail (Maqedoni), Abdylazis Islami (Maqedoni), Murat Isaku (Maqedoni), Dushica Ilin (Serbi), Svetllana Hristova Jociq (Maqedoni), Anders Johanson (Suedi), Kama Kamanda (Kongo), Ismail Kadare (Shqipëri), Milianov Kallupi (Shqipëri), Milazim Krasniqi (Kosovë), Bardhyl Londo (Shqipëri), Natasha Lako (Shqipëri), Maria Lenti (Itali), Pavlina Klimkar Meanxhieva (Maqedoni), Roberto Markoni (Itali), Zyhdi Morava (Shqipëri), Din Mehmeti (Kosovë), Shazim Mehmeti (Maqedoni), Vojsava Nelo (Shqipëri), Paulina Popa (Rumani), Hristo Petreski (Maqedoni), Ali Podrimja (Kosovë), Radhia Riahi (Tunis), Kasian Maria Spiridon (Rumani), Vanja Shterju (Maqedoni), Sara Mathai Stinus (Indi), Erik Stinus (Dnaimarkë), Salajdin Salihu (Maqedoni), Luan Starova (Maqedoni), Rizah Sheqiri (Suedi), Haxhi Shabani (Mali i Zi), Vasil Tocinovski (Maqedoni), Agron Tufa (Shqipëri), Kate Xukaro (Itali), Metin Xhelal (Turqi), Puntorie Muça Ziba (Maqedoni) dhe Visar Zhiti (Shqipëri).

Përgjithësisht, në suaza të këtij libri gërshetohet një botë e gjerë motivore e poetike, e cila ndonëse vjen nga sfera të ndryshme shpirtërore e gjeografike, madje edhe ekzotike, prapëseprapë qëndron si një tërësi e natyrshme dinamike, e cila megjithatë rrezaton drithma dhe shqetësime lirike. Në fakt, libri “Fshehtësia e lirisë” dëshmon qartë se poezia, pavarësisht se ku krijohet dhe ku botohet, komunikon natyrshëm në çdo pjesë të botës, sepse gjuha e saj është specifike, kuptohet një gjuhë që bart peshën shpirtërore të njeriut. Prandaj, si i tillë ky libër paraqet një sintezë artistike interesante, një mundësi të hapur për ta receptuar lexuesi etj.